Një testim i ri serologjik do të nisë të kryhet nga java tjetër në laboratorin e dytë që do të jetë gati edhe për testimet për COVID-19, laboratori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Deklarata është bërë nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë inspektimit të laboratorit mikrobiologjik të QSUT-së, i cili do të kryejë testin e ri për konfirmimin e diagnozës dhe vlerësimin e imunizimit, duke filluar nga grupet e rrezikut.
“Komiteti Teknik i Ekspertëve i ngritur në Ministrinë e Shëndetësisë për epideminë e koronavirusit, ka vendosur që të përfshijë një testim të ri, që është testimi serologjik, i cili do të nisë pikërisht nga grupet e rrezikuara, siç janë mjekët, por edhe strukturat e policisë. Janë përcaktuar protokollet dhe nga dita e hënë do të nisë testimi i ri”, tha znj. Manastirliu.
Në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT janë siguruar aktualisht 6 mijë teste. Duke theksuar se testimi serologjik do të kryhet në QSUT por nën drejtimin e Instutit të Shëndetit Publik, znj. Manastirliu tha se mbetet prioritet mbrojtja e personelit shëndetësor.
Comments