Valdrin Pjetri ka folur për herë të parë pas fitores si kryebashkiak i Shkodrës. I pyetur nga Report Tv nëse do ta shkarkojë administratën Pjetri tha se është diçka që mbetet për t’u parë.
Pavarësisht deklaratës së kryeministrit se gratë e administratës nuk preken, Valdrin Pjetri tha se do t’i verifikojë të gjithë dhe se deklarata e Ramës është një deklaratë e thënë në përgjithësi.
Përsa i përket procesit të votimit ai u shpreh se është i kënaqur.
“Moment historik tashmë është fakt pas 28 vitesh Partia Socialiste do të drejtojë Shkodrën. Do t’ju shërbejmë shkodranëve.
Do të shikohet teknikaliteti dhe meritokracia. Në punë do të rrijë kushdo që e meriton.
Patjetër që stafi drejtues është për tu zëvendësuar por pjesa tjetër do të shikohet. Hap pas hapi. Edhe gratë do të shqyrtohen. Rast pas rasti, mbetet për tu parë.
Jam shumë i kënaqur me votimin pasi ditën e djeshme nuk u regjistrua asnjë incident,” – tha Pjetri ndër të tjera.
Ditën e djeshme, shqiptarët votuan në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ku morën pjesë 21.6% e shqiptarëve, dhe PS mori ashtu siç ishte parashikuar të gjitha bashkitë. Procesi i votimit nuk pati probleme, përveç disa incidenteve të vogla në Finiq dhe Durrës. Dy liderët, Rama e Basha e cilësuan fitore 30 qershorin, njëri të shtetit e tjetri të popullit.
Comments