Emisioni FactCheck në MCN Tv zbardh Kodin e Etikës vendosur në hyrje të komisariateve. Nëpërmjet tij policëve u ndalohet të marrin dhurata dhe duhet t’i deklarojnë. Gjithashtu specifikohen dhe rastet kur përdoret forca dhe dhuna ndaj të ndaluarve. Ligjshmëria 1. Policia duhet të zbatojë dhe të verifikojë ligjshmërinë e gjithë veprimeve të planifikuara të saj. Në respekt të mbrojtjes së jetës, pronës, lirive dhe të drejtave të individit, punonjësi i policisë zbaton ligjin në çdo rast të ndërhyrjeve dhe veprimeve të tij. 2. Prezumimi i pafajësisë udhëheq veprimtarinë e punonjësit të policisë edhe ndaj personave objekt hetimi, me qëllim që ata të ushtrojnë të drejtat e tyre të plota, sipas kushteve të përcaktuara në ligj. Sipas këtij parimi, ligji është mbi të gjithë dhe mbi gjithçka. Përgjegjshmëria Në themel të punës dhe veprimtarisë së tij, punonjësi i policisë mbështetet mbi parimin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies ndaj publikut. Punonjësi i policisë mban përgjegjësi për veprimet apo mosveprimet e tij, të cilat shkojnë ndesh me zbatimin e ligjit. Mbrojtja e interesave publike dhe të individit 1. Punonjësi i policisë, në ushtrimin e funksioneve mbron në çdo rast interesin publik, si dhe të drejtat dhe interesat kushtetuese dhe ligjore të individit. 2. Punonjësi i policisë nuk kryen, nxit apo toleron asnjë akt torture, trajtim çnjerëzor ose poshtërues në çfarëdolloj rrethane. Barazia dhe mosdiskriminimi 1. Punonjësi i policisë përmbush detyrat në përputhje me të drejtat themelore të individit. Ai udhëhiqet nga parimi i barazisë, lirisë së mendimit, të shprehjes, të besimit, të grumbullimit paqësor, lëvizjes së lirë dhe të drejtës mbi pronën. 2. Punonjësi i policisë nuk privilegjon apo diskriminon asnjë për shkak të përkatësisë etnike, racore, gjinore, gjuhësore, politike apo çdo bindjeje tjetër, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual apo rrethane tjetër personale. Proporcionaliteti i përdorimit të forcës 1. Punonjësi i Policisë përdor forcën vetëm kur është në mënyrë të arsyeshme e nevojshme dhe vetëm në masën që kërkohet për të arritur një synim të ligjshëm. 2. Punonjësi i Policisë, në çdo rast e përdor forcën pa cenuar thelbin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe përdor gjithmonë mjete të përshtatshme në proporcion me rrezikun dhe qëllimet që synohen të arrihen. 3. Punonjësi i policisë është përgjegjës individualisht për ushtrimin e forces dhe jep llogari para ligjit. Paanshmëria 1. Punonjësi i policisë trajton të gjithë subjektet në mënyrë të ndershme, të drejtë e të paanshme, si dhe shmang konfliktin e interesit që do të cenonte drejtësinë dhe paanësinë. 2. Punonjësi i policisë nuk pengon drejtësinë, ai nuk fsheh apo përdor informacione, me qëllim përkrahjen apo dëmtimin e një personi. 3. Punonjësi i policisë zbaton detyrat me profesionalizëm dhe korrektësi, jashtë çdo ndikimi politik, përkatësie fetare, racore, gjinie apo përkatësie etnike. 4. Punonjësi i policisë nuk merr vendime të njëanshme dhe të ndikuara politikisht në lidhje me emërimet, ecurinë në karrierë, si dhe në zgjidhjen e problemeve gjatë ushtrimit të funksioneve. Integriteti 1. Punonjësi i policisë vepron në çdo kohë me ndershmëri dhe integritet të plotë. Ai deklaron çdo interes privat në lidhje me detyrën. 2. Punonjësi i policisë, në përmbushje të detyrës, merr vendime vetëm për interesin publik dhe jo për përfitime financiare apo materiale personale apo të personave të lidhur me të. 3. Punonjësi i policisë ka detyrimin të raportojë shkeljet e kryera nga kolegët gjatë dhe për shkak të detyrës tek eprori i drejtpërdrejtë ose tek strukturat kompetente. 4. Punonjësi i policisë nuk duhet të ketë detyrime financiare apo detyrime të tjera ndaj personave apo organizatave që mund të ndikojnë në përmbushjen e detyrave të tij funksionale. 5. Punonjësi i policisë nuk pranon dhurata për shkak të detyrës. Ai deklaron të gjitha dhuratat që merr në aktivitetet zyrtare për shkak të reciprocitetit.
top of page
bottom of page
Comments