Lulzim Basha, një ditë pas zgjedhjeve për pushtetin vendor të 30 qershorit është në pozitë akoma më të vështirë seç sa ka qënë pas humbjes së 25 qershorit të vitit 2017.
Nëse para dy viteve, një pjesë të fajit të humbjes katastrofike ia faturoi pandershmërisë së Ramës që shfrytëzoi marrëveshjen e majit për të fituar zgjedhjet në kurriz të PD, dhe pjesën tjetër ua “faturoi” figurave brenda PD, të cilët i përjashtoi, tani ka mbetur ai fajtori i vetëm.
Pasi dogji mandatet e deputetëve dhe e la opozitën jashtë sistemit duke u endur rrugëve dhe duke shkaktuar zullume përmes dhunës, pasi u armiqësua me të gjithë ndërkombëtarët e bindi dhe ata më skeptikët që të mbështesnin Ramën, Basha dështoi të bllokonte 30 qershorin, sikurse kishte paralajmëruar, qoftë dhe përmes përplasjes civile.
Tashmë të gjitha shigjetat e “helmëta” janë drejtuar tek ai, si autori dhe ekzekutori i vetëm i dështimit të plotë të PD, e cila aktualisht nuk ka asnjë pushtet.
I kanë mbetur vetëm kryetari i KQZ Klemend Zguri, në minorancë ky, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca dhe kreu i KLSH, të cilit i ka mbaruar mandati që prej një viti, Bujar Leskaj.
Për të gjitha këto arësye, përtej faktit se kanë bojkotuar mbi 80 përqind e votuesve zgjedhjet e së dielës, e vërteta e hidhur tashmë është se “kokën” e Bashës po e kërkojnë të gjithë në PD.
Madje kanë nisur të artikulohen dhe emrat e parë që do të pasojnë Lulzim Bashën në krye të PD dhe këto janë ish Presidenti Bujar Nishani dhe ish kryetarja e Kuvendit, njëherësh ish nënkryetare e PD e përjashtuar nga Luli, Jozefina Topalli.
I pari e ka dhënë sinjalin Bujar Nishani, në fillim përmes njerëzve të tij që ia kanë artikuluar emrin si kryetar i PD dhe me pëlqimin e Berishës, dhe ditën e sotme me një sulm ndaj Bashës, duke i kujtuar përmes akuzave ndaj Ramës, se ka lejuar poshtërimin e opozitës në mënyrë djallëzore nga kryeministri.
Por më e ashpër ka qënë Jozefina Topalli, e cila në një postim në rrjetin social, reagon fort, duke e akuzuar Bashën si të paaftë, pazarxhi dhe njeri të interesave të ngushta, që shkatërroi PD.
“Me urdhërin për djegien e mandateve Lulzim Basha e nxori atë me dhunë, jashtë parlamentit duke tradhëtuar e fyer, mbi 400 mijë demokratë, që votuan siglën e kësaj force politike.
Me këtë, që është akti më i papërgjegjshëm i historisë së demokracisë, ai praktikisht i ftoi shqiptarët në luftë vëllavrasëse.
Pas kësaj, premtoi se do krijonte qeverinë teknike dhe do rrëzonte Edi Ramën. Sot, me mos-hyrjen në zgjedhje, jo vetëm që nuk arriti asnjërën, por i dhuroi Ramës të gjitha bashkitë, të gjitha pushtetet.
Nga sot çdo gjë ka ndryshuar. PD është jashtë çdo pushteti politik, qëndror dhe lokal, ndërkohë që Edi Rama ka marrë çdo gjë. Demokratët e fundit të punësuar në bashkitë e djathta do jenë në mëshirën e Edi Ramës….
Partia Demokratike praktikisht nuk është më. Dhe kjo është vrasja më mizore, që kreu i saj mund t’i bënte demokratëve.
Ky është dëmi më kriminal ndaj vendit, që Basha kreu për karrigen e hallet e tij”, reagon Topalli.
E cila akuzon Bashën se tradhëtoi shpirtin perëndimor të partisë, që lindi për të hapur e integruar vendin në Eruropë dhe NATO.
“Ti ishe eksperimenti më i pamerituar për demokratët dhe për vendin. Është koha për të ringritur PD nga e para. Ështe koha për të larguar këtë klasë politike”, reagon fort Topalli.
Dhe përtej akuzave të hedhura në drejtim të ish nënkryetares së PD nga njerëz afër Bashës, tashmë gjërat kanë nisur të lëvizin me shpejtësi, duke tronditur rëndë karrigen e kryetarit të përkëdhelur.
Ish kryetari i PD Sali Berisha, një ditë pas 30 qershorit, ka shkuar me urgjencë në zyrën e Lulzim Bashës në selinë e PD, për të diskutuar për situatën e rëndë në të cilët ndodhet opozita.
Nuk ka informacion të detajuar, por sipas burimeve, tonet e larta të Berishës në zyrën e Bashës kanë paralajmëruar furtunë në PD, furtunë e cila rrezikon të kthehet në mosbesim ndaj kreut demokrat.
Dhe si për t’i vënë “kapak” situatës së vështirë në të cilën gjendet Basha, mediat publikojnë dhe takimin e Jozefina Topallit me zëdhënësen e Berishës, Erla Mhilli.
Me sa duket Lulzim Basha, sikurse paralajmëroi dhe në fjalimet e lamtumirës dy ditë më parë, është në rrugën e largimit nga drejtimi i PD.
Gjasat janë që në në garë të startojnë Nishani dhe Topalli për të matur forcat në zgjedhjet brenda PD sipas parimit “një anëtar një votë”, për kreun e partisë.
Lajmi keq për fatkeqësinë e PD është se këtë garë si gjithnjë do ta “arbitrojë” Sali Berisha, i cili në vitin 2013 zgjodhi gabim duke shkaktuar humbjen e të ndjerit Sokol Olldashi në favor të Lulzim Bashës, i cili në 6 vite të drejtimit të tij nuk dha asnjë fitore për PD
留言