Lirohet nga burgu pa vendim gjykate Fiqiri Xhani, babai i këshilltarit të Taulant Ballës, Eraldo Xhani. Nuk ka informacion nga institucionet për mënyrën sesi është liruar Xhani. Polici 58-vjeçar u arrestua 3 ditë më parë, pas një sërë hetimesh të Prokurorisë, bashkë me 4 policë të tjerë që merrnin ryshfet nga shoferët për të mos iu hequr patentat.
TIRANË- Fiqiri Xhani, 58 vjeç u arrestua më 23 korrik. Efektivi i Policisë Rrugore ishte pjesë e grupit të 5 policëve të Policisë Rrugore, që merrnin para në këmbim të ryshfetit. Ata favorizonin shoferët për të mos iu hequr patentën.
Lajmi u njoftua nga Policia më 23 korrik, ndërkohë që pak orë pas ndalimit, në mediat online Dosja.al vëreu se emri i Fiqiri Xhanit, në ndryshim nga efektivët e tjerë ishte “censuruar”.
Dyshimi se Xhani ishte një polic i ‘veçantë’, u provua pas konfirmimit se ai ishte babai i Këshilltarit të Kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Eraldo Xhani.
Polici i arrestuar për korrupsion, tanimë ndodhet në banesën e tij.
Ne kontaktuam edhe me këshilltarin e zotit Taulant Balla. Eraldo Xhani, tha për Dosja.al se i gjithë informacioni i nevojshëm është botuar zyrtarisht, dhe nuk ka asnjë koment për lirimin e të atit. “Nuk kam asnjë koment. I gjithë informacioni i nevojshëm është publikuar nga institucionet”.
Polici 58-vjeçar, që do të duhet të ishte sot në burg, është liruar në një mënyrë të çuditshme, për të cilën Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Tiranës duhet të japin shpjegime.
(F.g/dosja.al)
コメント