Një zyrtar i lartë i Burgjeve është vënë në hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pasi akuzohet se ka zhvilluar një takim me Luftar Reçin, të dënuarin që ndodhet në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë.
Reçi është i penduari i drejtësisë që zbërtheu dy nga vrasjet më të bujshme të vitit 2005, atë të Klodian Saliut dhe të biznesmenit Vajdin Lamaj. EPost ka mësuar se emri i zyrtarit të lartë ka dalë pas një hetimit të nisur nga Prokuroria e Tiranës, pas një kallëzimi të bërë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.
Pas zbulimit të sendeve të paligjshme që u zbuluan në burg, në librat që regjistrojnë hyrjet dhe daljet në IEPV, u zbulua se një nga drejtuesit e njërit prej burgjeve kishte shkuar në Korçë, konkretisht në burgun e Drenivës. Aty ka zhvilluar edhe një takim për 20 minuta me të penduarin e drejtësisë, Luftar Reçi.
Takimi është zhvilluar dy muaj më parë pasi Reçi ishte marrë në mbrojtje nga drejtësia, pas vendimit të tij për të bashkëpunuar me SPAK dhe për të zbardhur emrat e të përfshirëve të vrasjen e Saliut dhe të biznesmenit Lamaj.
Tashmë SPAK po heton dhe kërkon të zbardhë bisedën e zhvilluar mes zyrtarit të lartë dhe Reçit, apo arsyen që e bëri zyrtarin të shkonte deri në Drenovë për të zhvilluar këtë takim.
Comments